
Herën e fundit që ajo foli, ishte në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga.
“Edhe pse në Shqipëri kishte luftë, të gjitha pyetjet janë për dashurinë. Intervista nuk u botua për shkak se gazeta “Koha Jonë” u dogj më 2 mars 1997. Ajo u botua e plotë, vetëm pas rihapjes, më 4 maj 1997. Prej asaj kohe Parashqevei Simaku nuk ka folur më kurrë, askush nuk di çfarë ndodhi me të. Përveçse dimë me siguri që e duan akoma,”-shkruan gazetarja pasi ka rikthyer edhe njëherë në rrjetin dixhital, atë që dikur shkruhej me letër.
Dhe vërtetë e duan akoma! Dje e sot, rrjetet ku ka shqipfolës po “çmenden” nga ngjashmëria e një gruaje me këngëtaren shqiptare. Veçse është shumë ndryshe nga ajo që ishte menduar për jetën e saj. Në vitin 2006, ajo nënshkroi një kontratë me Sony dhe BMG për CD-në e saj në gjuhën shqipe me titull “Echoes from Iliria”, por duket se në një moment, jeta i ka marrë kthesën në 180 gradë. Nga një yll që vetëm premtonte, ajo sot është e pastrehë, ose të paktën kështu konfirmojnë edhe familjarët e saj.
Por çfarë ka ndodhur me këngëtaren dhe përse është rikthyer në vëmendje?
Një video e postuar nga gazetari Blendi Fevizu ishte shkëputur nga televizioni amerikan “Abc 7”. Gruaja, e cila ka ngjashmëri me këngëtaren merr nga fëmijët një “Çantë Bekimi (BackPack)” për të pastrehët. Në video, gruaja që merr çantën dhe flet prezantohet me emrin “Simaku Nolfe”, në fakt ky është mbiemri i ish-bashkëshortit të saj, Robert Nolfe. Kështu që, përveç ngjashmërisë, shqiptarët që jetojnë në SHBA kanë bërë lidhjen edhe me emrin e saj dhe të të shoqit.
Disa orë pas publikimit të videos, Fevziu tha se kishte kontaktuar me shqiptarë që jetonin në SHBA, të cilët ia kishin konfirmuar se ajo ishte këngëtarja! Sipas tij, nga ato që i kanë thënë, Simaku ka përfunduar e pastrehë dhe jeton me ndihmat që merr nga shteti, por edhe nga bamirësit amerikanë. Po ashtu, Fevziu tha se ai ka komunikuar me disa biznesmenë nga New York, të cilët janë ofruar të gatshëm për ta gjetur atë dhe për t’i ofruar ndihmë. Por ka një problem; sapo dëgjon shqip apo dikush i flet shqip, ajo largohet!