Rreth 10 ton mandarina të kontaminuara me pesticide, të cilat u kthyen nga Kroacia, janë hedhur në tregun shqiptar për konsumim. Prokuroria e Rrethit të Beratit ka konfirmuar se tre persona janë ndaluar përkatësisht me akuzat “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet ka rezultuar se fermeri E.T, ka shitur 10 ton mandarina te A.D, administrator i një pike grumbullimi. Këto mandarina janë eksportuar më pas drejt Kroacisë, ku autoritetet kroate kanë zbuluar se produkti kishte përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, i cili është i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për përdorim. Pas analizave të kryera, mandarinat janë kthyer në Shqipëri, ku A.D dyshohet se i ka hedhur sërish në treg pa i asgjësuar siç kërkohet nga procedurat përkatëse.
Gjithashtu, dyshohet se E.T, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimeve, ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare të falsifikuara për subjekte të ndryshme, përfshirë edhe për A.D.
Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë pasi sipas Ministrisë së Bujqësisë, kanë qenë 3 kamionë që janë kthyer për shkak të pesticideve të ndaluara. Duke qenë se janë 60 ton mandarina të kthyera mbrapsht në Shqipëri, është e paqartë se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër, a janë hedhur në treg me ndihmën e zyrtarëve të Bujqësisë, apo asgjesuar.
Duhet thënë se ky skandal u zbulua vetëm falë punës serioze të autoriteteve kroate, pasi nëse Ministria e Bujqësisë me në krye Anila Denajn, do e bënte punën ashtu siç duhet ky skandal do zbulohej në kohë dhe do merreshin masa pa u rënduar situata. Por duke qenë se kontrolli mbi përdorimin e pesticideve në Shqipëri ka qenë gjithmonë i dobët dhe shpesh injorohet në emër të interesave ekonomike të një grushti njerëzish, shqiptarëve u vijnë në ndihmë të huajt.